Më 28 dhjetor, populli i Kosovës do të shkojë në zgjedhje për të zgjedhur parlamentin e ri – për herë të dytë brenda vetëm dhjetë muajsh. Sipas raportimit të mediumit gjerman Deutsche Welle, shumë votues janë të lodhur nga ajo që e konsiderojnë “teatër politik” gjatë këtij viti. DW thekson se bllokimi politik i paprecedentë ka bërë që viti 2025 të konsiderohet një vit i humbur për Kosovën, në një kohë kur vendi ka nevojë urgjente për reforma sociale, ekonomike dhe kushtetuese. Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Vetëvendosje fitoi vetëm 42% të votave, duke humbur shumicën absolute. Megjithatë, si partia më e madhe, ajo dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti kishin të drejtën të propozonin kandidatin për kryetar parlamenti. Procesi zgjati më shumë se gjashtë muaj dhe më shumë se 50 raunde votimi, deri kur Dimal Basha arriti të siguronte votat e nevojshme nga blloku i qendrës së djathtë. Formimi i një qeverie koalicioni dështoi edhe pas negociatave të shumta midis Kurtit dhe partive opozitare, si dhe përpjekjeve të presidentes Vjosa Osmani. Më 20 nëntor 2025, presidentja shpërndau parlamentin, duke caktuar 28 dhjetorin si datën e zgjedhjeve të reja. Kosova mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë, me papunësi zyrtare mbi 25%, të cilat janë edhe më të larta tek të rinjtë. Rreth një e pesta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë. Eksodi i të rinjve vazhdon, ndërsa vendi mbetet shumë i varur nga remitencat nga diaspora, që përbënin rreth 13% të PBB-së në vitin 2024. Bllokimi politik ka penguar edhe përdorimin e subvencioneve të BE-së prej rreth 820 milionë eurosh. Raporti i DW nënvizon se kjo situatë ka bërë që qytetarët të përjetojnë një vit të humbur dhe ka thelluar pasigurinë sociale dhe ekonomike në vend, duke vendosur një sfidë të madhe për qeverinë e ardhshme që do të formohet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
