Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale, pas vendimit që i mohoi Salih Mustafës, të njohur si “Cali”, të takonte babanë e tij për herë të fundit. Në një reagim zyrtar, KMDLNJ e ka cilësuar Gjykatën Speciale si raciste dhe ka kritikuar institucionet e Kosovës për heshtjen e tyre ndaj shkeljeve të të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. “KMDLNJ thekson se institucionet e Kosovës nuk kanë ndërhyrë në mënyrë efektive, duke përdorur metaforën e ‘lojës së strucit’. Askush nuk ka kërkuar që ato të ndërhyjnë në drejtësi, por ka qenë detyrim ligjor të sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie”, thuhet në reagim. Këshilli thekson se refuzimi i kërkesës së Calit për të parë babanë e tij tregon “rrënimin moral të Gjykatës Speciale dhe të institucioneve të Kosovës”. Sipas KMDLNJ-së, të paraburgosurit në Hagë po trajtohen në mënyrë diskriminuese, ndërsa heshtja e institucioneve lokale ka përligjur këtë trajtim. “Këta të paraburgosur, të zhveshur nga çdo e drejtë, po kalojnë kalvarin shpirtëror nga kriminelët juridikë të Hagës dhe rrogëtarët e tyre politikë në Prishtinë. Heshtja e institucioneve ka përligjur diskriminimin e Gjykatës Raciste Speciale ndaj pengjeve të Hagës, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës, udhëheqës të luftës dhe ndërtues të shtetit dhe paqes”, përfundon reagimi i KMDLNJ-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
