Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka caktuar mbledhjen e radhës më 29 dhjetor 2025, ku në rendin e ditës është edhe përzgjedhja e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit. Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Agron Qalaj, ka propozuar për këtë pozitë Aleksandër Lumezin, sipas letrës së siguruar nga portali “Betimi për Drejtësi”. Në agjendën e takimit, pika shtatë përmend qartë “Propozimin e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit për zgjedhjen e Zëvendës-Kryeprokurorit të kësaj zyre”. Në letrën e dërguar më 24 dhjetor, Qalaj argumenton se zgjedhja e Lumezit synon “të garantojë vazhdimësinë institucionale dhe ushtrimin e plotë të kompetencave”, por ky proces ngre pyetje për transparencën dhe pavarësinë e vendimmarrjes brenda institucionit. Kjo vjen pak ditë pas caktimit të Agron Qalajt si U.D. Kryeprokuror i Shtetit më 22 dhjetor, pas dorëheqjes së Besim Kelmendit, duke lënë hapësirë për shqetësime se proceset kyçe në sistemin prokurorial po kryhen brenda një rrethi të ngushtë vendimmarrësish, pa konsultim të mjaftueshëm publik apo institucional. Analistët dhe avokatët e pavarur vlerësojnë se vendimet për pozitën e Zëvendës-Kryeprokurorit duhet të jenë transparente dhe të bazuara mbi kriteret meritore, për të shmangur dyshimet mbi ndikime politike dhe mungesën e llogaridhënies.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
