Sadik Halitjaha ka reaguar lidhur me dëmtimin e Radio Kosovës së Lirë, duke theksuar se kjo fatkeqësi, e shkaktuar si pasojë e furnizimit të paqëndrueshëm me energji elektrike, është përgjegjësi njerëzore dhe institucionale. Sipas tij, konsumatorët kanë kontratë për furnizim stabil me rrymë elektrike nga 280 deri në 300 volt, ndërkohë që në praktikë, shpeshherë tensioni zbret deri në 170 volt, duke shkaktuar dëme serioze në pajisje teknike. “Fajësia i takon drejtpërdrejt KEDS/KEC-it dhe dëmet duhet të kompensohen nga kjo ndërmarrje. Shteti duhet të ndërhyjë dhe të mbajë përgjegjësi për sigurinë e pronës së një mediumi publik dhe kombëtar”, ka deklaruar Halitjaha. Ai ka apeluar që Radio Kosova e Lirë të ringrihet sa më parë, duke theksuar se kjo është një detyrë morale dhe kombëtare për dëgjuesit, mbështetësit dhe themeluesit e këtij mediumi. “Për ne që jemi dëgjues dhe themelues të këtij mediumi, na takon ta ringrisim edhe një herë. Nëse secili kontribuon sipas mundësive – dikush me 100 euro e ata që kanë mundësi edhe me 1.000 euro – RKL mund të ringrihet më e fortë se më parë”, ka theksuar ai. Halitjaha ka propozuar që menjëherë të hapet një llogari bankare e posaçme dhe publikisht të bëhet thirrje për kontribut, me një tekst të qartë dhe të arsyetuar. “Sa herë që përballemi me fatkeqësi e vështirësi, ne bëhemi më të fortë. RKL është medium mbarëkombëtar dhe duhet të ringrihet nga të gjithë”, ka përfunduar komandant Sadiku, duke shprehur besimin se së shpejti do të ketë rikthim dhe takim me dëgjuesit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
