Tema të tjera...
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës vjetore me gazetarë, ka folur për zhvillimet e fundit në fushën e mbrojtjes dhe forcimit të kapaciteteve të ushtrisë shqiptare, duke theksuar se vendi sot ka ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshirë edhe Serbinë. Rama deklaroi se ambicia e qeverisë është që ushtria shqiptare të arrijë mesataren financiare të vendeve të NATO-s, duke theksuar se investimet në mbrojtje po rriten ndjeshëm nga viti në vit. “Kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshi edhe Serbinë. Ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë mesataren e vendeve të NATO-s sa i përket anës financiare,” u shpreh Rama. Ai bëri të ditur se Shqipëria tashmë është e pajisur me sistem raketor “Javelin”, tri anije patrulluese të dhuruara nga Italia, si dhe radarë modernë falë bashkëpunimit strategjik me Francën. Sipas kryeministrit, synimi kryesor mbetet zhvillimi i industrisë ushtarake vendore. “Shqipëria synon të bëhet vend prodhues në industrinë ushtarake. Do të prodhojmë dronë luftarakë dhe sisteme antidron. Në vitin 2026 do të shihni edhe produktet e para,” theksoi Rama. Ai shtoi se qeveria po vazhdon punën për lidhjen e kontratave të reja në industrinë detare dhe ajrore, duke e pozicionuar Shqipërinë si një faktor gjithnjë e më të rëndësishëm në sigurinë rajonale dhe atë të NATO-s.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
