Rritje e ndjeshme e tarifave të ujit nga janari, barrë e re për qytetarët në të gjitha komunat

Nga janari, qytetarët e Kosovës do të përballen me rritje të ndjeshme të faturave të ujit, pas vendimit të Autoritetit Rregullator të Shërbimeve të Ujit për ngritjen e tarifave, në bazë të kërkesave të kompanive rajonale të ujësjellësit. Vendimi parasheh rritje të konsiderueshme në të gjitha qendrat kryesore urbane, duke prekur drejtpërdrejt buxhetet familjare në një periudhë të rritjes së përgjithshme të kostos së jetesës. Sipas tarifave të reja, në Prishtinë çmimi për konsumatorët shtëpiakë rritet nga 44 cent në rreth 63 cent për metër kub, në Prizren nga 38 në 56 cent, në Pejë nga 25 në 39 cent, në Mitrovicë nga 36 në 53 cent, në Gjakovë nga 37 në 52 cent, në Ferizaj nga 37 në 53 cent, ndërsa në Gjilan nga 35 në 54 cent. Këto rritje përfaqësojnë një ngarkesë të re financiare për qytetarët, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Autoriteti Rregullator e ka arsyetuar këtë vendim me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe kostot e zgjerimit e mirëmbajtjes së rrjetit, duke theksuar se tarifat e miratuara për periudhën 2026–2028 synojnë mbulimin e kostove dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Megjithatë, mungesa e masave lehtësuese për kategoritë e ndjeshme sociale dhe transparenca e kufizuar mbi efikasitetin e shpenzimeve kanë nxitur kritika, duke ngritur shqetësime se barra e rritjes së kostove po transferohet në mënyrë disproporcionale te qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti lë pas agjendën urgjente, zgjedhja e presidentes mbetet peng i lojës politike

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duket se vazhdon të praktikojë një qasje të moderuar, madje …