Ndotja e ajrit në Kosovë vazhdon të mbetet në nivele alarmante, pa asnjë përmirësim të dukshëm dhe me pasoja të rënda për shëndetin publik. Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e zbatimit të ligjeve dhe neglizhenca institucionale po e çojnë vendin drejt një krize të thellë shëndetësore, me pasoja afatgjata sidomos për të rinjtë dhe fëmijët. Eksperti i ndotjes së ajrit, Ilir Morina, ka kritikuar ashpër institucionet shtetërore për mospërfillje të plotë të ekspertizës profesionale dhe shkencore. “Ne kemi tri-katër vite që askush nga qeveria nuk i thërret profesorët. Kjo është fatkeqësi për të ardhmen tonë. 3 mijë e 600 të rinj janë të identifikuar me kancer dhe sëmundje vdekjeprurëse, ndërsa me 1.6 milionë banorë kjo është alarmante. Ne po vdesim, po plakemi si popull, po ulet nataliteti dhe rinia po largohet nga Kosova”, ka deklaruar Morina, duke paralajmëruar një të ardhme të zymtë deri në vitin 2030 nëse nuk merren masa urgjente. Ai ka theksuar se Kosova, pavarësisht se ka legjislacion të harmonizuar me direktivat evropiane, ka dështuar plotësisht në implementim. “Para ka, donatorë ka, strategji e plane ka. Filtrat për termocentrale nuk janë luks, janë domosdoshmëri, po aq të rëndësishëm sa rrugët. Pa mjedis të shëndetshëm nuk ka njerëz të shëndetshëm. Jemi duke shkuar drejt humnerës me vetëdije”, ka thënë Morina, duke u bërë thirrje deputetëve të rinj që mjedisin dhe shëndetin t’i trajtojnë si prioritete absolute.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
