Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka ndjekur në kohë reale arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga një dhomë në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, në prani të gjeneralëve ushtarakë amerikanë.
Në një intervistë telefonike për “Fox News”, Trump ka thënë se gjeneralët i kanë konfirmuar se një operacion i tillë nuk mund të realizohet nga asnjë shtet tjetër në botë. “Më është thënë nga gjeneralët ushtarakë se asnjë shtet tjetër në botë s’mund ta bëjë këtë. Nëse do ta shihnit se çka ka ndodhur, unë e pashë dhe ishte sikur të shihje një show televiziv”, është shprehur Trump.
Ai ka përshkruar aksionin si jashtëzakonisht të shpejtë dhe të dhunshëm, duke e cilësuar atë si “të mahnitshëm” dhe si një “punë të mrekullueshme” nga forcat që e kanë realizuar operacionin. “Askush tjetër s’mund të bëjë diçka të tillë”, ka shtuar ai.
Sipas Trumpit, i gjithë operacioni ka qenë tejet kompleks dhe ai ka ndjekur çdo moment të tij, duke e vlerësuar si një aksion të nivelit të lartë ushtarak.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
