Alarm nga vërshimet në Kosovë: AKK kërkon Fond Emergjent, rrezik serioz në Malishevë

Vërshimet e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë alarmante në disa komuna të Kosovës, duke shkaktuar dëme të rënda në ekonomitë familjare, bizneset dhe infrastrukturën publike. Kryetari i Asosacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm institucional, duke paralajmëruar se vonesat po rrisin rrezikun për qytetarët dhe pronën publike. Sipas Ibrahimit, dëmet janë konstatuar në një numër të madh komunash, përfshirë Gjakovën, Drenasin, Malishevën, Deçanin, Therandën, Rahovecin, Klinën dhe Junikun. Situata më shqetësuese është në komunën e Malishevës, ku diga në lumin Mirusha ndodhet në gjendje shumë të keqe dhe paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve. “Situata në Malishevë është alarmante. Çdo vonesë vetëm sa e rrit rrezikun”, ka deklaruar Ibrahimi. Kryetari i AKK-së ka ritheksuar nevojën për themelimin e menjëhershëm të Fondit Emergjent për Komuna, si një mekanizëm i përhershëm që do t’u mundësonte komunave reagim të shpejtë dhe efikas në raste fatkeqësish natyrore. Ai po ashtu ka kërkuar eliminimin e burokracisë së panevojshme në procesin e kompensimit të dëmeve, e cila sipas tij po i penalizon qytetarët dhe pushtetin lokal. “Nëse komunat miratojnë vendime për kompensim mbi bazën e vlerësimeve profesionale, niveli qendror duhet t’i zbatojë ato. Përndryshe, të formojë komisione të veta, por jo t’i mbajë vendimet peng të procedurave burokratike që zgjasin me vite”, theksoi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Izmi Zeka: Njeriu i UDB-së serbe në Gjilan, Sinan Rexhepi i njohur si Sinan Zhegra, veteran i UÇK-së (!)

Izmi Zeka: PDK-ja të propozojë kandidat mbi interesat partiake

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka reaguar lidhur me zgjedhjen e presidentit të …