Analisti politik Afrim Kasolli ka kritikuar ashpër delegacionin e Kosovës për takimet në Solothurn, duke theksuar se veprimet e tyre legjitimojnë narrativen e politikës serbe për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Kasolli ka reaguar pas publikimit nga VOX Kosova të fotove të ish-shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, me politikanen serbe, Sandra Rashkoviç Iviç, si dhe dokumenteve që tregojnë pranimin e lehtë të amnistimit të serbëve dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës. Sipas tij, ky qëndrim i delegacionit, sidomos për këto dy pika, “legjitimon narracionin e politikës serbe se prezenca e njësive speciale të Policisë është burim tensioni ndër etnik, prandaj duhet të gjenden rrugët politike për amnistimin e sulmuesve ndaj rendit kushtetues”. Fotografia e publikuar nga mediumi tregon gjithashtu praninë e përfaqësuesve opozitarë, duke nënvizuar që mungesa e një vizioni alternativ për dialogun është rezultat i rreshtimit të të gjitha partive opozitare pas Vetëvendosjes. Kasolli shton se kjo situatë e bën skenën politike të paaftë për të prodhuar alternativa brenda procesit të dialogut, edhe kur marrëveshjet e pranuara nga Albin Kurti janë, sipas analistëve ndërkombëtarë, më të dëmshme se shkëmbimi i territoreve. /VOX Kosova /
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
