Bedri hamza

Bedri Hamza: PDK-ja merr mbi 192 mijë vota, besimi qytetar na obligon për riorganizim dhe veprim më të fuqishëm politik

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare, duke bërë të ditur se PDK-ja është renditur e dyta me gjithsej 192,407 vota. Në një deklaratë publike, Hamza ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë, duke theksuar se ky rezultat përbën një besim të madh që partia e tij e merr me përgjegjësi të shtuar. “Numërimi i votave ka përfunduar. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 192,407 vota dhe është renditur e dyta. Këtë besim e marrim me përgjegjësi të madhe”, ka deklaruar Hamza. Ai ka vlerësuar se, pavarësisht një gare që e ka cilësuar të vështirë dhe të pabarabartë, ruajtja e elektoratit dëshmon se mijëra qytetarë vazhdojnë të besojnë në punën, seriozitetin dhe vlerat që përfaqëson PDK-ja. Sipas Hamzës, ky rezultat zgjedhor e obligon partinë për një angazhim edhe më të madh në riorganizimin e brendshëm, konsolidimin e strukturave dhe intensifikimin e veprimit politik në të gjitha nivelet. “PDK-ja do të vazhdojë të punojë për çdo qytetar, pa dallim, në çdo platformë ku jemi të pranishëm, me këmbëngulje dhe me bindjen se Kosova meriton më shumë dhe më mirë”, ka shtuar ai. Hamza e ka përmbyllur deklaratën me mesazhin se puna dhe angazhimi politik i PDK-së do të vazhdojnë, duke ritheksuar falënderimin për besimin e dhënë nga qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë: Ligjshmëri e konfirmuar, narrativë e shtrembëruar nga mohuesit e së drejtës ndërkombëtare

Debati mbi ligjshmërinë dhe legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë (1999) po rikthehet në …