Parlamenti i ri i Kosovës tashmë ka marrë formë, pas përfundimit të plotë të numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë numëruar edhe votat e fundit me postë dhe se rezultati përfundimtar është gati për shpallje, pa ndryshime të theksuara në shpërndarjen e mandateve. Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka dalë fituese e qartë e këtyre zgjedhjeve me 51.11 për qind të votave të përgjithshme, përkatësisht mbi 486 mijë vota. Krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, kur kishte marrë rreth 42 për qind të votave, VV-ja shënon një rritje të ndjeshme të mbështetjes elektorale. Partia Demokratike e Kosovës, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, renditet e dyta me rreth 192 mijë vota apo 20.19 për qind të totalit. Edhe pse ka një rënie të lehtë krahasuar me ciklin e kaluar zgjedhor, PDK-ja ka arritur të ruajë bazën kryesore të elektoratit të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar rënien më të madhe, duke u renditur e treta me 13.23 për qind të votave apo rreth 126 mijë vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është subjekti i katërt parlamentar nga radhët e shumicës shqiptare, duke kaluar pragun zgjedhor me 5.50 për qind të votave, apo mbi 52 mijë vota. Formimi i qeverisë së re nuk pritet të jetë sfidë e madhe për VV-në, e cila mund të sigurojë shumicën parlamentare edhe me mbështetjen e së paku katër deputetëve nga komunitetet jo shumicë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
