Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pranuar publikisht se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit ka qenë dukshëm nën pritjet e LDK-së, duke e cilësuar atë si një verdikt të qartë të qytetarëve që kërkon reflektim dhe përgjegjësi politike. Abdixhiku ka falënderuar 126,102 qytetarët që i kanë dhënë votën LDK-së, por ka theksuar se rezultati zgjedhor ishte “larg madje” nga objektivat e partisë. Megjithëse e pranon humbjen, ai ka insistuar se partia do ta respektojë verdiktin e qytetarëve dhe nuk do t’i shmanget analizës së brendshme. Ai ka bërë të ditur se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore do të thirret Kryesia e LDK-së dhe më pas Kuvendi i partisë, ku, sipas tij, anëtarësia do të vendosë për drejtimin dhe fatin politik të LDK-së. Abdixhiku ka theksuar se çështjet e brendshme nuk zgjidhen përmes reagimeve emocionale apo presioneve publike, por përmes mekanizmave institucionalë të partisë. Deklarimi i tij është shoqëruar edhe me kritika të drejtpërdrejta ndaj zërave kritikë jashtë LDK-së, të cilët, sipas tij, po tentojnë ta dobësojnë partinë duke u gëzuar për humbjen e saj. Abdixhiku ka insistuar se LDK-ja është më e madhe se individët dhe se do të vazhdojë rrugën e saj me maturi dhe përgjegjësi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
