Analisti Behxhet Shala ka reaguar ashpër pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke i cilësuar ato si zgjedhje klienteliste dhe opozitën si politikisht të paralizuar. Sipas tij, rezultati ishte i paracaktuar për shkak të përdorimit masiv të resurseve shtetërore, financiare dhe institucionale në favor të Lëvizjes Vetëvendosje. Shala vlerëson se humbja e 9 deputetëve nga partitë opozitare është pasojë e një gare të pabarabartë, ku qeveria ka shpërndarë qindra miliona euro para zgjedhjeve për të ndikuar drejtpërdrejt në vullnetin e votuesve. Ai kritikon ashpër edhe votimin e diasporës, duke pretenduar se ai ka deformuar vullnetin e votuesve rezidentë në Kosovë. Sipas Shalës, opozita ka dështuar të ushtrojë rolin e saj që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, pavarësisht skandaleve të shumta qeveritare, duke ia lehtësuar pozitës kapitalizimin politik të krizave institucionale. Ai paralajmëron se pranimi i rezultatit zgjedhor dhe pjesëmarrja në zgjedhjen e presidentit me votat e opozitës do të ishte “fatale”, veçanërisht për LDK-në. Shala bën thirrje që opozita të veprojë si opozitë e mirëfilltë parlamentare dhe jashtëparlamentare, përndryshe, sipas tij, rrezikon të përfundojë në margjinat e skenës politike, pa asnjë mundësi ri ngritjeje.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
