Avdullah Hoti akuzon Qeverinë Kurti për krizën energjetike: Reduktimet, pasojë e keqmenaxhimit dhe mungesës së vizionit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër menaxhimin e sektorit të energjisë elektrike, duke paralajmëruar se qytetarët dhe bizneset po përballen drejtpërdrejt me pasojat e keqmenaxhimit qeveritar. Ai ka vlerësuar se situata aktuale është rezultat i viteve të humbura pa investime, pa planifikim strategjik dhe pa përgjegjësi institucionale. Hoti theksoi se njoftimet e fundit të KOSTT-it për reduktime të energjisë përbëjnë një formë “ndëshkimi kolektiv” për qytetarët, të cilët, sipas tij, nuk duhet të paguajnë çmimin e dështimeve politike të Qeverisë Kurti. “Është e papranueshme që në vitin 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës për shkak të dështimeve të atyre që kanë pasur pushtetin dhe buxhetin në dorë. Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte”, ka deklaruar Hoti. Ai ka theksuar se energjia elektrike nuk duhet të trajtohet si luks, por si një e drejtë themelore e qytetarëve, duke nënvizuar se çdo reduktim është dëshmi e mungesës së vizionit dhe e neglizhencës ndaj interesit publik, ka përfunduar Hoti.

Kontrolloni gjithashtu

Barbano takon Komandantin e JFC Napoli, theksohet bashkëpunimi EULEX–KFOR për sigurinë në Kosovë

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, …