Duke iu referuar masakrës së Reçakut më 15 janar 1999, Jashari rikujton se forcat kriminale serbe masakruan barbarisht 45 civilë shqiptarë, ndërsa më pas tentuan ta fshehin krimin duke e paraqitur atë si përplasje mes UÇK-së dhe forcave serbe. Sipas tij, ky mashtrim dështoi falë mediave ndërkombëtare dhe misionit të OSBE-së në Kosovë, veçanërisht ambasadorit William Walker, i cili e dëshmoi dhe e bëri të ditur të vërtetën para botës.
Jashari thekson se pamjet nga Reçaku tronditën ndërgjegjen ndërkombëtare dhe kjo masakër u shndërrua në pikë kthese, duke përshpejtuar ndërhyrjen e NATO-s kundër makinerisë gjenocidale serbe. Ai rikujton se vetëm gjashtë ditë pas Reçakut, forcat serbe u rikthyen në Prekaz, me synimin për të shkatërruar bërthamën e organizimit çlirimtar, ndërsa më pas pasuan masakra të tjera, beteja të përgjakshme dhe shpërngulje masive.
Në fund, Bekim Jashari nënvizon se gjaku i derdhur për liri, lufta çlirimtare dhe ndërhyrja vendimtare e NATO-s, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, bënë të mundur që Kosova sot të gëzojë lirinë. Ai shpreh nderim dhe krenari për martirët e Reçakut, duke theksuar se sakrifica e tyre është themel i Lirisë dhe i Pavarësisë së Kosovës.
Lavdi të rënëve për Lirinë e Kosovës!