Ramush Haradinaj në Reçak: Masakra dëshmi e krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj shqiptarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, duke bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në nderim të 45 shqiptarëve të paarmatosur të masakruar nga forcat serbe më 15 janar 1999.

Haradinaj ka theksuar se Masakra e Reçakut, ashtu si edhe masakrat e tjera të kryera ndaj popullit shqiptar, përbën dëshmi të qarta të krimeve gjenocidale që aparati shtetëror serb ka kryer në Kosovë. Ai ka nënvizuar se këto krime mbeten plagë e hapur, por edhe dëshmi e sakrificës për liri.

Në këtë përvjetor, Haradinaj ka shprehur mirënjohje të përhershme për ambasadorin amerikan William Walker, i cili e cilësoi Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit dhe ia bëri të ditur botës së vërtetën për krimet serbe në Kosovë.

Po ashtu, ai ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se ato ishin dhe mbeten përherë krah Kosovës në të gjitha periudhat historike, veçanërisht në momentet më vendimtare për lirinë dhe shtetndërtimin e vendit.

Haradinaj ka përfunduar duke nderuar dëshmorët dhe martirët e Reçakut, sakrifica e të cilëve mbetet themel i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ruzhdi Jashari: Mohimi serb i Masakrës së Reçakut, krim i dyfishtë dhe kërcënim për Ballkanin

Profesor Ruzhdi Jashari, reporter i luftës së UÇK-së, ka paraqitur kumtesën e tij në Konferencën …