Specialja vazhdon paraburgimin e ish-krerëve të UÇK-së, pavarësisht afrimit të fazës përmbyllëse të gjykimit

Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale ka vendosur t’ua vazhdojë edhe për nga dy muaj masën e paraburgimit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në kuadër të çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Vendimi është marrë pavarësisht faktit se procesi ka hyrë në fazën përmbyllëse pas më shumë se pesë vjetësh paraburgim. Në njoftimin e saj, Gjykata Speciale ka deklaruar se trupi gjykues “konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund ta pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera”, një arsyetim që vazhdon të përsëritet në vendimet e njëpasnjëshme, pa sjellë rrethana të reja konkrete apo prova bindëse. Sa i përket Hashim Thaçit, Gjykata ka bërë të ditur se vendimi i fundit për rishikimin e paraburgimit të tij është lëshuar në dhjetor 2025, ndërsa rishikimi i ardhshëm pritet të mbahet gjatë muajit shkurt. Ky vendim vjen vetëm një ditë pasi Gjykata Speciale njoftoi se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Megjithatë, pavarësisht afrimit të fundit të procesit, vazhdimi i paraburgimit po shihet gjerësisht si masë disproporcionale, që rëndon tej mase mbi të akuzuarit dhe forcon kritikat se Gjykata Speciale po shkel parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. Vendimi ka nxitur reagime të ashpra në opinionin publik dhe politik, duke thelluar bindjen se Specialja po vepron me standarde të dyfishta dhe se paraburgimi i zgjatur është shndërruar në dënim paraprak, duke cenuar rëndë të drejtat themelore të njeriut dhe parimet bazë të drejtësisë ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Avdullah Hoti sfidon Abdixhikun: O përgjegjësi për humbjen zgjedhore, ose largohem nga Kryesia e LDK-së

Përçarjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po thellohen pas deklaratës së fortë të anëtarit të …