Eugen Cakolli nga organizata Demokracia në Veprim ka reaguar lidhur me ndërprerjen e rrymës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, aty ku po zhvillohet procesi i rinumërimit të votave, duke e cilësuar këtë situatë si një sinjal tejet shqetësues për integritetin e procesit zgjedhor. Cakolli tha se çdo tentim për të vazhduar numërimin në kushte të papërshtatshme, siç është terri ose ndriçimi i improvizuar, përbën rrezik serioz për administrimin korrekt të votave. “Në rastin e QNR-së, ndërprerja e rrymës atje është sinjal jashtëzakonisht negativ. Nëse aty tentohet me u improvizu numërimi në terr ose ndërpritet përkohësisht, ky është sinjal jashtëzakonisht i keq, për shkak se me disa drita, me disa llampa përmbi, nuk administrohet procesi”, deklaroi ai. Cakolli theksoi se edhe vetë ndërprerja e rinumërimit, si masë alternative, do të ishte problematike dhe do të prodhonte pasoja edhe më të rënda në aspektin e besimit publik. Sipas tij, çdo pauzë apo vonesë e paarsyetuar rrezikon të thellojë dyshimet ndaj transparencës dhe besueshmërisë së procesit. “Nëse ndërpritet në anën tjetër, është hala ma problem, se njerëzit ia nisin me e dyshu edhe QNR-në. Nëse nuk i besojmë më as QNR-së, atëherë nuk e di kujt ka me mbet me i besu”, u shpreh ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
