Muhamet Hamiti ka akuzuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke deklaruar se ai ka drejtuar, sipas tij, Qeverinë më të korruptuar në historinë e Kosovës. Reagimi i Hamitit vjen si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Kurtit kundër korrupsionit, të cilat ai i cilësoi në kundërshtim të plotë me realitetin e qeverisjes së pesë viteve të fundit. Hamiti theksoi se retorika e Kurtit për refuzimin e “epokës së korrupsionit” nuk përputhet me veprimet konkrete të Qeverisë së tij. Sipas tij, pikërisht gjatë mandatit të Kurtit është konsoliduar ajo që ai e quajti “epokë e korrupsionit masiv qeveritar”, duke e bërë të pabesueshme pretendimin për pastërti institucionale. Hamiti përmendi si shembull zgjedhjen si deputete të ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ndodhet nën aktakuzë dhe në proces gjyqësor. Ai theksoi se kandidimi dhe zgjedhja e saj nga Lista e Lëvizjes Vetëvendosje më 28 dhjetor 2025 nuk është rast i izoluar, por pjesë e një modeli më të gjerë tolerimi ndaj zyrtarëve të përfshirë në çështje penale. Sipas Hamitit, përgjegjësia politike për këto zhvillime bie drejtpërdrejt mbi Kurtin, i cili, siç tha ai, jo vetëm që i ka lejuar këto praktika, por edhe i ka miratuar ato në mënyrë implicite përmes vendimeve dhe listave zgjedhore të partisë së tij. “E ka pëlqyer Kurti. E ka pëlqyer edhe votuesi i tij”, shkroi Hamiti, duke shtuar se kjo situatë dëmton rëndë besimin publik në luftën kundër korrupsionit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
