106 vjet nga Kongresi i Lushnjës, Begaj: Moment vendimtar për ekzistencën, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka përkujtuar sot 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjës, duke e cilësuar atë si një nga momentet më vendimtare për ekzistencën, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.

Begaj theksoi se 106 vjet më parë, në një periudhë kritike për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, përfaqësues nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnje për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Ai vlerësoi se vendimet e këtij kongresi i dhanë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran.

“Kongresi i Lushnjes dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përçarjen, për të marrë në dorë fatin e vet, duke ringritur institucionet demokratike të shtetit, të sfiduar nga anarkia dhe luftërat, duke i dhënë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran”, tha Begaj.

“Nderime dhe respekt për atdhetarët dhe burrështetasit shqiptarë, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, që certifikuan lindjen e shtetit modern shqiptar,” ka deklaruar Begaj.

Në një kohë kur Shqipëria rrezikohej seriozisht nga copëtimi territorial pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, më 21 janar 1920, dhjetëra përfaqësues nga mbarë trojet shqiptare u mblodhën në Lushnjë për të mbajtur një kongres kombëtar me synim mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit.

Gjatë punimeve të tij, Kongresi i Lushnjës zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar. U formua Këshilli i Lartë, i përbërë nga katër anëtarë, i cili ushtroi funksionin e kreut të shtetit deri në përcaktimin e formës përfundimtare të regjimit. Po ashtu, u krijua Këshilli Kombëtar me 37 përfaqësues, që do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Prokurorët e Gjykatës Speciale, në Hagë, do ta kenë të vështirë ta dëshmojnë se ish-krerët e UÇK-së janë fajtorë për krimet e supozuara

Më 17 shkurt platforma “Liria ka Emër” organizon protestë në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë

Me moton “Drejtësi, jo politikë”, do të protestohet më 17 shkurt në orën 14:00 në …