Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur bindjen e tij të palëkundur se ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – do të shpallen të pafajshëm, duke theksuar se procesi në Hagë po shihet gjithnjë e më shumë si i padrejtë, selektiv dhe politik. Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në 28-vjetorin e sulmit të dytë ndaj familjes Jashari, Gucati deklaroi se veteranët synojnë të jenë në Hagë më 16 dhe 17 shkurt për të ndjekur nga afër seancat, duke e cilësuar këtë si një akt solidariteti me bashkëluftëtarët dhe një mesazh kundër asaj që ai e quan “drejtësi e njëanshme”. “Unë besoj dhe dua të besoj fuqishëm se ata do të dalin të pafajshëm. Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe çlirimtare, ndërsa ky proces po e vendos drejtësinë evropiane në një sprovë serioze. Nuk mund të ketë drejtësi selektive dhe politike për një popull që ka luftuar për liri,” ka thënë Gucati. Ai ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale, duke nënvizuar se ajo po perceptohet në Kosovë si një mekanizëm që po gjykon viktimën dhe jo agresorin, dhe se po e rëndon padrejtësisht narrativën historike të UÇK-së. Sipas tij, fakti që vetëm ish-krerët e UÇK-së janë në bankën e të akuzuarve, ndërkohë që krimet serbe mbesin kryesisht të pandëshkuara, e minon besueshmërinë e gjithë procesit. Gucati ka bërë të ditur gjithashtu se veteranët do të marrin pjesë në protestën e 17 shkurtit, e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, ku do të kërkohet drejtësi për çlirimtarët dhe fundi i asaj që ai e quan “gjykim politik”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
