Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Izrael me një takim të rëndësishëm me homologun izraelit, Haim Bibas, Kryetar i Bashkisë së Modi’in-Maccabim-Re’ut dhe njëherësh Kryetar i Federatës së Autoriteteve Lokale në Izrael, që përfaqëson 265 autoritete në të gjithë vendin. Në këtë takim, Lladrovci prezantoi mundësitë që ofron Komuna e Drenasit për investitorët, duke theksuar arritjet dhe sfidat e pushtetit lokal, si dhe shprehu gatishmërinë për ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm në fusha me interes të përbashkët. Ai veçoi sektorë si pushteti lokal, bujqësia, kompanitë start-up, teknologjia informative, energjia e ripërtëritshme, planifikimi hapësinor dhe ambienti, si fusha prioritare për zhvillim dhe investime. Pas takimit me Bibas, kryetari i Drenasit mori pjesë edhe në seancën solemne të Knesset-it, kushtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Me këtë rast, Lladrovci vlerësoi lart miqësinë e dëshmuar të Izraelit në ditët më të vështira për Kosovën, duke theksuar se kjo mbështetje nuk do të harrohet kurrë. Në seancën solemne u rikonfirmua miqësia dhe nderimi për shqiptarët, për historinë e tyre dhe për besën, nga tre krerët më të lartë të Izraelit, duke dëshmuar edhe një herë lidhjet e forta ndërmjet dy popujve dhe perspektivën e bashkëpunimit të mëtejmë institucional dhe ekonomik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
