Platforma “Liria ka Emër” ka vazhduar sot fushatën e saj të takimeve nëpër Kosovë, me një vizitë zyrtare në Komunën e Rahovecit. Dy themeluesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u pritën në takim nga Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e platformës prezantuan misionin dhe aktivitetet e “Liria ka Emër”, me theks të veçantë në fushatën e mobilizimit qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Eliza Hoxha, bashkëthemeluese e platformës, theksoi se ky Marsh është një thirrje qytetare për drejtësi të paanshme. “Kërkojmë mbështetje që zëri i qytetarëve të Kosovës të dëgjohet fuqishëm më 17 shkurt”, shtoi ajo. Ndërsa, Ismail Tasholli ndër të tjera tha se mobilizimi në çdo komunë të Kosovës është thelbësor për përçimin e mesazhit të Marshit. “Marshi “Drejtësi, jo politikë” është reagim i domosdoshëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”, shtoi Tasholli.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, shprehu mbështetjen e tij për këtë nismë qytetare, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të parimeve të drejtësisë.
“Drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë. Kjo është një kauzë që meriton mbështetje,” tha Latifi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
