Profesori dhe reporteri i luftës së UÇK-së, Ruzhdi Jashari, ka reaguar ashpër lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë, duke theksuar se ky proces nuk po gjykon individë, por vetë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj për liri. Në një reagim publik, Jashari paralajmëron se finalja e procesit po afron dhe se qytetarët, si dhe përfaqësuesit lokalë e qendrorë, duhet ta kuptojnë qartë se, sipas tij, Gjykata Speciale ka karakter selektiv dhe synon kriminalizimin e luftës çlirimtare, duke lënë në hije krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës. Ai kritikon ashpër ata që sot, sipas tij, fshihen pas një “atdhetarie mashtruese”, duke heshtur ose duke relativizuar procesin, madje duke krijuar hapësirë për ligjërime që e paraqesin këtë gjykatë si të drejtë dhe të paanshme. “Sot që nuk jemi më përballë tytave të armikut, pyetja është e thjeshtë: në cilën anë të historisë jeni?”, shtron Jashari. Në fund, ai thekson se kolltukët e pushtetit nuk mund të qëndrojnë mbi sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, duke paralajmëruar se, sipas tij, loja me fatin e atdheut nuk do të falet nga historia.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
