Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka vazhduar sot aktivitetet e saj në kuadër të mobilizimit për Marshin e 17 shkurtit me moton “Drejtësi, jo politikë”, duke siguruar përkrahje të fuqishme nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës. Përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, zhvilloi një vizitë në ambientet e kësaj shoqate, ku u prit me mbështetje të parezervë për organizimin e marshit që do të mbahet në Prishtinë. Tasholli vlerësoi përkrahjen e të burgosurve politikë si një mesazh të fortë moral dhe historik, duke theksuar se ajo buron nga sakrifica dhe idealet mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës. “Jemi në shtëpinë e dinjitetit, krenarisë dhe idealit të shtetndërtimit. Mbështetja juaj është dëshmi e vlerave për të cilat është sakrifikuar”, tha Tasholli. Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefik Sadiku, deklaroi se kjo shoqatë solidarizohet plotësisht me ish-krerët e UÇK-së që po mbahen dhe po gjykohen prej më shumë se pesë vitesh në Hagë. Ai theksoi se ata përfaqësojnë vazhdimësinë e përpjekjes çlirimtare dhe se procesi ndaj tyre duhet të trajtohet me drejtësi e pa ndikime politike. “Këta njerëz janë pjesë e historisë sonë çlirimtare. Ata nuk i janë shmangur asnjëherë përgjegjësisë. Ajo që duhet të dëshmohet është e vërteta: se UÇK ka qenë ushtri çlirimtare”, u shpreh Sadiku.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
