Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se konsumi i lartë i energjisë elektrike lidhet me faktin se qytetarët “po i mbajnë dhomat më të nxehta sesa normalja”. Deliu ka theksuar se Qeveria ka qenë vetë ajo që ka nxitur qytetarët të investojnë në klima dhe pompa termike si alternativa për ngrohje, ndërsa tani, sipas saj, po mundohet t’ua bartë përgjegjësinë për situatën energjetike. “Sipas Albin Kurtit, problemi i rrymës qenka se qytetarët po rrinë tepër ngrohtë. Le që shteti i ka nxitur të kalojnë në klima e pompa termike, tash pasi ua mori votën, po u thotë se po e teprojnë me ngrohje. Asnjë fjalë për politikat e gabuara dhe dështimet institucionale, por vetëm zhvendosje e përgjegjësisë te qytetari”, ka deklaruar Deliu. Ajo e ka cilësuar këtë qasje si të papërgjegjshme dhe fyese për qytetarët, duke shtuar se kriza energjetike nuk mund të justifikohet me deklarata që shmangin llogaridhënien e Qeverisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
