Agim Aliu mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë”

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë qëndruar sot në Komunën e Ferizajt, ku janë pritur në takim nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu. Gjatë takimit, përfaqësuesit e platformës e kanë njoftuar kryetarin Aliu me misionin dhe aktivitetet e “Liria ka Emër”, si dhe me fushatën e mobilizimit qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të dinjitetit të luftës çlirimtare. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka shprehur mbështetje të plotë për këtë iniciativë qytetare, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit. “Lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe çlirimtare. Drejtësia për ata që sakrifikuan për këtë vend nuk guxon të politizohet. I ftoj qytetarët e Ferizajt dhe të gjithë Kosovës që më 17 shkurt të bashkohen në Prishtinë për drejtësi të vërtetë për çlirimtarët tanë”, ka deklaruar Aliu. Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, ka vlerësuar mbështetjen institucionale dhe qytetare që, sipas saj, po e gjen kjo nismë në mbarë Kosovën. “Mbështetja nga Ferizaj është dëshmi se kjo kauzë i përket ndërgjegjes qytetare. Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është një thirrje paqësore për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e së vërtetës sonë historike”, ka thënë Hoxha.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …