Në vend që të dalë me masa konkrete për ta frenuar spiralen e pandalshme të shtrenjtimit të energjisë elektrike, kryeministri Albin Kurti zgjodhi mbrëmë të ironizojë qytetarët, duke ua faturuar atyre përgjegjësinë për konsumin gjatë dimrit. Vetëm një ditë më parë, ZRRE kishte pranuar propozimin e KESCO-s për rritje të çmimit të rrymës prej 21.4% për vitin 2026 – shtrenjtimi i katërt i energjisë elektrike gjatë mandatit të Kurtit. Megjithatë, kreu i Vetëvendosjes nuk shfaqi as shqetësim e as plan, por u mjaftua me këshilla paternaliste. “Duhet me menaxhu faktin se po ngrohemi me rrymë tepër shumë… temperaturat në dhoma i kemi dukshëm më të larta se ç ‘është normale. Kena qef nxehtë”, deklaroi Kurti, duke nënkuptuar se barra e krizës duhet të bie mbi qytetarët. Ndërkohë, KESCO ka kërkuar të hyra lejuara prej 528.78 milionë eurosh për 2026 (nga 435.93 milionë në 2025), duke e arsyetuar rritjen me varësinë nga importi, rehabilitimin 8-mujor të Kosova B1 që kufizon prodhimin vendor, “faktorin korrigjues” prej 49.5 milionë eurosh për humbjet e vitit 2025, rritjen e shpenzimeve operative nga inflacioni e liberalizimi i tregut, si dhe rritjen e pritshme prej 20% të tarifave të rrjetit. Në mungesë të investimeve strukturore, subvencioneve të targetuara apo reformave reale në sektorin energjetik, qeveria po zgjedh rrugën më të lehtë: fajësimin e qytetarëve. Në një dimër të shtrenjtë e të vështirë, kjo qasje shihet nga shumëkush jo si zgjidhje, por si tallje e hapur me standardin e jetesës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
