Ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Lajmin per RTK e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, e cila ka bërë të ditur se Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit.
“Ju njoftojmë se Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, ka thënë Luta.
Rasti lidhet me dyshime për keqpërdorim të parasë publike përmes ndarjes së granteve. Më 19 nëntor të 2025-së, Paris Guri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Pecit, duke pretenduar se vëllai dhe daja i kandidates për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, kishin përfituar grante nga kjo ministri.
Ndaj këtyre akuzave kishin reaguar si Peci ashtu edhe Pacolli, duke i mohuar pretendimet. Ndërkohë, Peci kishte ngritur padi ndaj zyrtarëve të LDK-së, duke i akuzuar se kanë nxitur persona të tjerë të japin deklarata të rreme në këtë rast.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
