Kosova pa kontratë lobimi në SHBA prej gati dy vjetësh – ekspertët paralajmërojnë rrezik për humbje ndikimi

Që nga qershori i vitit 2024, Kosova nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi të regjistruar në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë. Në një kohë kur lobimi konsiderohet kanal kyç për ndikim në politikëbërjen amerikane, mungesa e një strukture të tillë po shihet nga ekspertët si dobësi strategjike. Njohësja e zhvillimeve politike, Donika Emini, vlerëson se pa një mekanizëm të organizuar lobimi, Kosova rrezikon të mos komunikojë si duhet interesat e saj në Uashington dhe të mbetet jashtë rrjeteve ku formësohen qëndrimet politike. Sipas saj, angazhimet individuale të zyrtarëve nuk e zëvendësojnë dot një platformë profesionale lobimi, sidomos në sistemin amerikan ku ndikimi institucional shpesh ndërtohet përmes kontratave të specializuara. Në pesë vitet e fundit janë nënshkruar vetëm tri kontrata lobimi, të gjitha gjatë vitit 2023, të cilat tashmë kanë skaduar. Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë sqarime pse nuk ka kontrata të reja aktive në FARA, ndonëse më herët janë shpenzuar qindra mijëra dollarë për kompani të njohura lobimi në SHBA. Profesorët dhe ish-diplomatët ndërkombëtarë theksojnë se shtetet e vogla, pa peshë të madhe ekonomike apo ushtarake, e kompensojnë mungesën e ndikimit përmes lobimit të vazhdueshëm. Sipas tyre, në mungesë të këtij angazhimi, ekziston rreziku që narrativi për Kosovën në Uashington të formësohet nga palë të tjera më aktive. Aktualisht, Serbia ka gjashtë kontrata aktive në FARA, Bosnje e Hercegovina 14, Shqipëria katër, ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut asnjë.

Kontrolloni gjithashtu

Boris Pistorius: Evropa të rrisë vetëbesimin ndaj SHBA-së, NATO mbetet e qëndrueshme

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të tregojnë …