Krijimtaria letrare e Agim Vincës në përgjithësi e ajo poetike në veçanti karakterizohet për frymën e saj antikonformiste.
Ashtu sikurse në jetë, edhe në frymëzimet e tij poetike, Agim Vinca ka mbajtur në kontinuitet qëndrim kritik e jo më rrallë edhe ironizues karshi injorancës, hipokrizisë, snobizmit e demagogjisë.
Krijimtaria e këtij poeti përfshin një periudhë të gjatë kohore prej rreth dyzet vjetësh. Shkëndijat e para të frymëzimeve të tij i hetojmë qysh kur ishte nxënës i shkollës së mesme, mirëpo libri i parë poetik i këtij autori, “Feniksi”, botohet vetëm më 1972, çka do të thotë në një moshë relativisht të pjekur.
Vargu poetik i Agim Vincës shquhet për notën e protestës. Në vargjet e tij poeti u rri me “çekiç në duar” thirrjeve raciste të letrarëve serbë të kohës, të cilët në mitingjet antishqiptare të organizuara në vitet ’80 (pas demonstratave të ’81-shit) bënin thirrje për luftë, ngase shqiptarët sipas tyre “nuk e meritojnë lirinë”. Poezia Poeti në miting e këtij autori hapet me shënimin: “Pastaj e mori fjalën shkrimtari PS, i cili tha: Kosova është ankth i netëve të mia”, i cili në tekstin e saj (poezisë) luan rolin e paratekstit (sipas Zhenetit). Vjersha është e shkruar në strofa dyvargëshe (distikë) dhe e konceptuar si fjalim në vargje. Pra, në të flet shkrimtari me inicialet P.S.[1]*
Vëllezër e motra të gjakut tim
S’durojmë dot më dhunë dhe krim
Mjaft kemi duruar të na robërojnë
Ata që lirinë s’e meritojnë
Ata – të egër! Ata – të zi!
Ata – të vëngër! Ata – pa sy!
Poeti në miting, me megafon në dorë
S’është më poet, por orator [2]
Janë këto vargjet e poezisë Poeti në miting, ku autori parodizon fjalimet e krijuesve serbo–malazez në mitingjet e ashtuquajtura “të së vërtetës”, të cilët në fjalimet e tyre krejtësisht politike dhe luftënxitëse përhapnin gënjeshtra për dhunën dhe “dhunimet” që gjoja bënin shqiptarët në Kosovë ndaj serbëve në vitet ’80 të shekullit të kaluar!
Këta krijues më shumë se denoncimin e situatës së krijuar në atë kohë, në “krijimet” e tyre, por edhe në mitingjet me karakter politik shprehnin urrejtje të hapur ndaj shqiptarëve, duke predikuar kështu shumë drejtpërdrejt dhunën:
S’flet më me rima e metafora
Po me pankarta e parolla
Nuk sheh me sy, as dëgjon fare
Është miting – jo orë letrare [3]
Këta të ashtuquajtur krijues, të dehur nga urrejtja për shqiptarët dhe të vënë në shërbim të politikës shoviniste të regjimit të Beogradit qenë zhveshur nga vlerat humane dhe qenë bërë instrument në duart e politikës së ditës. Ngjyrim politik patën marrë edhe krijimet e tyre artistike të cilat priteshin me ovacione nga publiku, pra gërshetohet zëri i oratorit me atë të turmës.
Të kësaj natyre janë edhe vargjet e poezisë Antimaltusiane, e cila i kundërvihet luftës që bëhej kundër lindshmërisë (natalitetit) te shqiptarët. Pra, po ringjallej teoria maltusiane*. Në vargjet e kësaj poezie poeti ironizon fushatën e shtypit të verdhë të kohës, i cili i nxitur nga politika zyrtare i servirte publikut akuza e të pavërteta të pambarim për shqiptarët, me theks të veçantë te nënat dhe fëmijët:
Zotërinj maltusianë
Superyje të Gazetës
Si s’ju lodhi, mor aman
Ky avaz i antijetës?
(…)
Në foltore e gazeta
Nëpër pallate e vila
Tek aborton e vërteta
E tiret rrena në ngjyra;
Tiret, tiret super – rrena
Në TV- color ekrane
Foshnjat – bomba në pelena
Një monstrum prej nina – nane.[4]
Në kohën kur u krijuan këto vargje, aparati shtetëror serb ushtronte trysni të madhe mbi shqiptarët nëpërmjet medies që ishte zëdhënëse e tij. Sulmohej gjithçka shqiptare: tradita, historia, kultura, arsimi, shkenca, flamuri kombëtar shqiptar dhe, madje, edhe nataliteti ose lindshmëria. E gjitha bëhej në emër të kinse luftës kundër nacionalizmit shqiptar. Printe sidomos gazeta “Politika”, tek e cila aludon poeti me vargun: “Superyje të Gazetës”, duke e shkruar fjalën gazetë me shkronjë të madhe.
I ashtuquajturi Jovan Panovski, një “prof. dr.” nga Maqedonia, në polemikat që kishte me autorin e kësaj poezie (prof. dr. A. Vincën), ndër të tjera jep edhe këtë konstatim: “Shqiptaret gjysmanalfabete qysh në moshë të re shndërrohen në ‘makina’ për lindjen e fëmijëve”.[5] Ky cilësim ç’njerëzor qe bërë refren i kohës.
Poeti shpreh revoltën ndaj këtij realiteti të hidhur, të cilit në fakt jo më pak kontribuonin edhe disa “intelektualë” të kohës, të cilët për interesa personale bëheshin kasnecë të të pavërtetave. Gazetarët, shkrimtarët dhe intelektualët shovinistë serbë e maqedonë sulmonin, shpifnin e akuzonin, kurse ata shqiptarë kryesisht heshtnin:
Gazetat janë përplot me emrin tënd
Me emrin tënd hapen emisionet e radios
Ditari i mbrëmjes, lajmet në TV
Shtypi i verdhë
Shtypi i zi
Dhe ec e thuaj
Se rrena i ka këmbët e shkurtra
Rrenat e mëdha i kanë këmbët e gjata![6]
Janë këto disa nga vargjet e poezisë Shfletimi i shtypit verdhezi, të shkruar në vitin e rëndë 1989. Njihet thënia “shtypi i verdhë” në kuptimin shtyp sensacional, bulevardesk, por poeti krijon një stilemë të re: ”shtypi verdhezi”, pra i verdhë dhe i zi njëkohësisht. Subjekti lirik i kësaj poezie ironizon këtë lloj shtypi. Në këtë funksion citohet vargu i poetit austriak Erih Frid (i njohur për lirikën e tij politike) se: Rrenat e mëdha i kanë këmbët e gjata. Andaj, sipas kësaj “teorie”, propaganda që bënte “shtypi verdhezi” i viteve ’80 në ish – Jugosllavi kishte doemos influencë në opinion.
Poeti tenton që me artin e tij ta çmistifikojë këtë konformizëm të ‘elitës intelektuale’ të kohës, një pjese të saj, e cila kishte mbyllur sytë përballë realitetit të hidhur me të cilin ndeshej njeriu ynë në këtë kohë.
Dhe jo rastësisht themi se vargjet e Agim Vincës në përgjithësi, dhe veçanërisht ato që poeti krijoi në dekadën e fundit të shekullit XX, i karakterizon nota e protestës, e cila shpërfaqet mjaft bukur përmes ironisë si njëra ndër figurat kryesore letrare të postmodernizmit.
Poezi e qëndrimit kritik
Karakteristikë e verbit poetik të Agim Vincës, e shprehjes poetike të tij është qartësia e mendimit. Poeti nuk mbyllet për asnjë çast në gjuhën e abstraksionit për të sharruar kështu në hermetizëm.
Kujtoj se ka të drejtë poeti Abdullah Konushevci, i cili, kur bën fjalë për poezinë e A. Vincës, ndër të tjera thekson: “Ç’është e vërteta, Agim Vinca në krijimtarinë e tij poetike përqafon më së shumti poetikën e poezisë së Agollit: kultivimin e një poezie sa më popullore, që të bën për vete sa me thjeshtësinë e saj, po aq edhe me gjetjet e papritura të ngarkesës figurative të fjalës”.[7]
Poezia e Agim Vincës shpreh revoltë të hapur ndaj dukurive negative shoqërore të kohës. Në poezinë e veçantë Vargje për vetëkontribut hasim në vargje thellësisht thumbuese, të cilat ironizojnë aksionet shoqërore të kohës së socializmit, të organeve dhe udhëheqësve të saj, që detyronin qytetarët të ndanin nga kafshata e vet për “projektet” që bënin këta të fundit “në dobi të shoqërisë”:
Sërish dolëm në vendvotime
Sërish rendëm në referendum
Votuam sërish për vetëkontribut
Do të japim nga dy për qind
për rrugë
pishina
parqe [8]
Mesazhi i kësaj poezie mbetet aktual edhe në kohën postsocialiste, pra në këtë të pluralizmit politik. Nëse në socializëm elita politike i thurte lëvdata vetvetes për të “arriturat” e saj, në demokraci veprohet me të njëjtën retorikë, andaj poeti demaskon demagogjinë e të dyja sistemeve, ani pse kjo e fundit do të arrijë në hapësirën shqiptare vetëm ca vite më vonë!
Agim Vinca është poet që në krijimet e tij poetike mban qëndrim kritik dhe realist ndaj përditshmërisë dhe problemeve të saj. Diku ironizon, diku fshikullon e diku satirizon:
Na ishin njëherë në një fshat diku
Ca masha të gjora pa zemër pa tru.
Masha të vjetra, masha të reja
Hale që kurrë s’i gjuan rrufeja
Masha të mira, masha të lira
Që u binden lehtë duarve të nxira [9]
Këta njerëz-masha, siç i cilëson poeti kolaboracionistët e ndryshëm, vetëdijshëm ose pa të, me veprimet e tyre stoponin në maksimum përpjekjen e njeriut tonë për liri kombëtare, andaj epitetet që u jepen atyre si: njerëz pa zemër, pa tru japin në plotëninë e tyre botëkuptimin e kësaj kategorie të shoqërisë e cila sigurisht se do të jetë e humbur në ndërgjegjen e saj.
Vargu poetik i Agim Vincës përgjithësisht dhe veçanërisht këto që autori botoi në dekadën e fundit të shekullit të njëzetë karakterizohen me praktikimin e teknikave të zhdërvjellëta të poezisë, ku autori përmes shprehjes poetike shpërfaq temat dhe motivet që trajton. Pra, subjekti lirik mban qëndrim realist e kritik ndaj shoqërisë, kohës dhe vetvetes.
Siç konstaton me të drejtë poeti dhe studiuesi Anton Papleka: “Tek Agim Vinca, angazhimi vjen së brendshmi, nuk është propagandistik, por shpirtror”[10], dhe se “intelektualit të vërtetë shqiptar i duhet që t’i shndërrojë në art jo vetëm krijimet, por edhe qëndrimet e tij, jetën dhe vdekjen e tij”.[11]
Vargje që ironizojnë filozofinë e durimit të pafund
Krijimtaria poetike e Agim Vincës është e pasur si në tematikën që trajton ajo, po ashtu edhe në mjetet shprehëse me të cilat realizohet kjo krijimtari.
Zëri autentik i poetit të mirëfilltë është gjithnjë aty ku e kërkon koha. Si i tillë ai është në njëfarë dore dëshmitar dhe kujdestar i ecejakeve tona kombëtare ngaqë, siç thekson Papleka, është: “i vetëdijshëm se kombi i tij nuk i ka zgjidhur problemet e veta ekzistenciale e historike”.[12]
Ashtu siç me vargun e tij jo rrallë godet demagogjinë, servilizmin dhe hipokrizinë, poeti Agim Vinca nuk harron që me të njëjtin diskurs t’u përgjigjet edhe iluzioneve shterpe që e karakterizojnë njeriun tonë në kohë e rrethana të ndryshme.
Në poezinë Doktrina e durimit (Etyd për studentët e mi) poeti ironizon një kohë dhe një politikë e cila u shndërrua në “doktrinë të durimit të pafund”:
Ulur në tepih e kauçë
Mësojmë përmendsh doktrinën e Durimit
E dëfrehemi me përralla të lira për Lirinë![13]
Përmes këtyre vargjeve subjekti lirik bën thirrje që sa më parë të shkëputemi nga iluzioni se liria vjen duke ndenjur duarkryq ose duke i thurur elozhe asaj. Tezën e tij se njeriu ynë në njëfarë mënyre kishte filluar t’u besonte miteve e iluzioneve e përforcon në poezinë Azilanti, ku përmes humorit të zi intonon:
Mirupafshim në Kosovën e lirë!
Tha dhe iku.
Ose, më mirë, çau.
Tash sa vjet vetë i sati
në një azil në Gjermani
pret të shporret shkau. [14]
Mesazhi i poezisë është i qartë: liria dhe dinjiteti njerëzor mbrohet në vendlindje dhe jo në metropolet e Europës. Edhe pse këtu në radhë të parë subjekti lirik predikon vetëdijesimin për situatën, në një rrethanë ose në një tjetër shprehet edhe një revolte e hapur kundrejt besimit të kotë, ose politikës utopiste paqësore të kohës e cila e besonte Kosovën të lirë si një sihariq që do ta sillte ndonjë lajmëtar!
Si rrjedhojë e situatës absurde me të cilën ndeshej njeriu ynë në vitet ’90 të shekullit XX, loja që sugjeron vargu i poetit Agim Vinca i krijuar në këtë kohë arrin deri tek fabulisti e poeti i famshëm francez i shek. XVII La Fonteni:
Jetoj në gjendje të jashtëzakonshme.
Bëj gjumë të jashtëzakonshëm
Shoh ëndrra të jashtëzakonshme
(një ujk jashtëzakonisht të butë
E një qengj jashtëzakonisht gjakpirës)[15]
Te këto vargje, në të cilat dominon ironia e grotesku poeti krijon një semantikë intriguese në të cilën subjekti lirik jeton një situatë absurde, ku gjithçka është “përmbysur” si pasojë e kësaj metamorfoze që “pëson” ujku (pushtuesi) bëhet “i butë”, kurse qengji (shqiptari), “gjakpirës”. Pra në rrethana të tilla, ku kemi një ujk “jashtëzakonisht të butë” dhe një qengj “jashtëzakonisht gjakpirës”, gjendja objektive s’ka se si të jetë ndryshe vetëm se e jashtëzakonshme.
Vargjet e kësaj poezie dhe jo vetëm, dëshmojnë se muza poetike e këtij autori për shumëçka do të jetë e papërsëritshme në letrar shqipe.
Kujtojmë se shenjat e modernizmit në poezinë e këtij autori shpërfaqen falë aplikimit të metodave unike e tejet origjinale sipas të cilave krijon veprën letrare.
Përfundimisht themi se poezia e Agim Vincës karakterizohet me stilin unik të të rrëfyerit dhe gjetjet e saj origjinale. Pra, ky autor arrin që me mjaft sukses të trajtojë tema e motive nga përditshmëria jonë duke i ndenjur gjithnjë besnik parimeve të tij krijuese, dhe kështu frymëzimet e tij kanë gjetur kurdoherë lexuesin e saj.
* I pyetur se kush fshihet prapa këtyre inicialeve, autori i poezisë, Prof. A. Vinca, më është përgjigjur se prapa tyre fshihet shkrimtari malazias Petar Sariq, që atëbotë jetonte në Prishtinë dhe tregohej dashamirës ndaj shqiptarëve, kishte edhe miqësi me kolegët e vet shqiptarë. Pastaj sikurse edhe shumë të tjerë, u vu në shërbim të politikës së ditës: fliste në mitingje, jepte deklarata në shtyp etj.
[2] Agim Vinca, Kohë e keqe për lirikën, “Rilindja”, Prishtinë 1997, f. 39.
[3] Po aty, f. 39- 40.
* Maltusianizëm\ – zmi (ang. Malthus, Thomas Robert, 1766 – 1834, ekonomist i njohur anglez). Teori sipas së cilës popullsia shtohet më shpejt se mjetet e jetesës; njerëzit, sipas kësaj teorie, janë të dënuar të jetojnë në varfëri nëse nuk merren masa për pengimin e shtimit të tyre; propozon që punëtorët të mos martohen, sepse kështu shtohet numri i popullsisë së varfër. (Mikel Ndreca, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, “Rilindja”, Prishtinë 1986, f. 447.
[4] Agim Vinca, Kohë e keqe për lirikën, “Rilindja”, Prishtinë 1997, f. 41- 42.
[5] Cit. sipas Agim Vinca, Populli i pandalur, “Zëri” 1992, f. 47.
[6] Agim Vinca, Kohë e keqe për lirikën, f. 44.
[7] Abdullah Konushevci, Për poezinë, “Nositi”, Prishtinë 2008, f. 112.
[8] Agim Vinca, Kohë e keqe për lirikën, f. 41- 42.
[9] Po aty, f. 29.
[10] Revista letrare Fjalë e Valë, SHSHM “Jakup Ceraja”, Mitrovicë 2012, f. 43.
[11] Po aty, f. 44.
[12] Anton Papleka, Kodi i metaforave, “Globus R”, Tiranë 2006, f. 50.
[13] Agim Vinca, Kohë e keqe për lirikën, f. 98.
[14] Po aty, f. 120.
[15] Po aty, f. 53.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
