Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në disa shkolla të mesme të qytetit të Ferizajt u organizua aktiviteti edukativ me temën “Rrugëtimi drejt pavarësisë”. Ky aktivitet synoi të afrojë nxënësit më pranë historisë së shtetformimit dhe sakrificave të bëra ndër vite për liri dhe pavarësi.
Përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, së bashku me drejtorë komunalë, vizituan Gjimnazin shkencor “Kuvendi i Arbrit”, Gjimnazin shoqëror “Shaban Hashani”, IAAP “Zenel Hajdini” dhe Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika”. Gjatë këtyre vizitave u zhvilluan bashkëbisedime të hapura me nxënësit, ku u diskutua për rrugën e gjatë dhe të vështirë drejt pavarësisë së Kosovës, për sakrificat e brezave të tërë dhe për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë proces historik.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe zhvillimeve aktuale, përfshirë proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së. Qëllimi i kësaj pjese të bashkëbisedimit ishte informimi i nxënësve në mënyrë të drejtë dhe të balancuar mbi çështje që lidhen me historinë e afërt dhe drejtësinë.
Organizatorët theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të edukimit të brezave të rinj mbi vlerat e lirisë, sakrificës dhe përgjegjësisë qytetare, duke e konsideruar këtë aktivitet si një kontribut në forcimin e ndërgjegjes kombëtare dhe qytetare te të rinjtë.