Mbi 200 mijë qytetarë priten në marshin “Drejtësi, jo politikë”

Marshi qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të organizohet të martën në Prishtinë, pritet të jetë më i madhi i organizuar ndonjëherë në Kosovë. Organizatorët kanë bërë të ditur se janë përmbyllur të gjitha përgatitjet për këtë ngjarje, e cila synon solidarizim me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Në një konferencë për media, përfaqësuesit e platformës qytetare Liria ka Emër njoftuan se presin mbi 200 mijë qytetarë në shesh. Sipas tyre, marshit i janë bashkuar institucione qendrore e lokale, sindikata, organizata të shoqërisë civile, si dhe qytetarë nga diaspora. Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, deklaroi se marshi do të jetë dëshmi e unitetit qytetar në mbrojtje të luftës çlirimtare. “Kjo nuk është çështje partie apo pushteti, por çështje drejtësie dhe dinjiteti kombëtar. Presim mbi 200 mijë qytetarë. Do të jetë marshi më i madh në historinë e Kosovës së lirë, por madhështia e tij do të matet me qetësinë, disiplinën dhe seriozitetin e mesazhit,” u shpreh ajo. Ndërkaq, përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli, bëri të ditur se në marsh do të ketë pesë folës nga kategori të ndryshme shoqërore, pa përfshirje partiake. “Asnjë folës nuk do të jetë partiak. Ky është marsh qytetar,” theksoi ai. Programi do të përfshijë edhe performanca artistike nga Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son, si dhe një aksion simbolik tek monumenti NEWBORN, si moment reflektimi për lindjen e shtetit të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

VLEN pa qëndrim për rezolutën në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut – deklarata të forta, por pa vendim konkret

Koalicioni VLEN ka reaguar lidhur me rezolutën e dorëzuar në Kuvendin e Maqedonia e Veriut, …