Kuvendi komunal i Rahovecit sot me nderim dhe përgjegjësi të lartë institucionale, përkujtoj 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës se Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shtetit tonë.
Në këtë përvjetor, shprehim mirënjohjen më të thellë, duke i kujtuar të gjithë ata që luftuan dhe kontribuuan në rrugëtimin tonë drejt lirisë: dëshmorët, martirët, veteranët e invalidët e luftës, veprimtarët dhe politikanët, si dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që mbështetën procesin e shtetndërtimit.
Në fjalën e tij kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi tha:
Nuk janë të shpeshta ngjarjet si kjo që po e shënojmë sot. Shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, është ndër kapitujt më të rëndësishëm të historisë tonë më të re. Ky akt është kurorëzim i përpjekjeve, materializim i djersës e gjakut të shumë brezave, është përfundimi i rrugëtimit të gjatë të shqiptarëve për liri e dinjitet kombëtar. Ndonëse ndër shekuj u derdh shumë gjak, mijëra e mijëra njerëz humbën pa gjurmë, trojet tona u shkretuan nga armiq të egër e barbar, megjithatë kombi shqiptar mbijetoi. Copa të mëdha toke i përvetësuan fqinjët grabitqarë, duke shpopulluar krahina të tëra dhe duke kryer vrasje masive të njerëzve të pambrojtur. E trishtueshme është historia jonë. Zullumet e njëpasnjëshme e shtynë këtë popull në zgrip të ekzistencës, mirëpo lidhja e fortë me tokën dhe varret e të parëve ndikuan që të mbijetojmë.
Nuk është kjo orë historie, por është moment reflektimi e nderimi për të gjithë ata njerëz që u bënë ballë këtyre rrebesheve të kohës, shumë prej të cilëve me buzë të plasur shkuan në amshim, pa e shijuar një ditë të bardhë. Në këtë ditë të shënuar për shqiptarët nuk mund të kalojmë pa ju bërë nderet që ju takojnë brezave para nesh, të cilët me shpirt ndër dhëmbë qëndruan dhe nuk i braktisën trojet stërgjyshore. U falemi, deri në përkulje, luftëtarëve të të gjitha epokave, atyre që me qëndresën e bërë i dhanë kuptim të qenit shqiptar.
Akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte erdhi si rezultat i këmbënguljes dhe luftës vetëmohuesve të idealistëve të shumtë, të cilët për të arritur synimin madhor ia vunë gjoksin furtunës dhe u bënë theror në themelet e shtetësisë së këtij vendi.
Natyrisht, në një akt të këtillë solemn, është e pamundur të thellohemi në histori, pasi që të shumta qenë betejat, të shumtë qenë heronjtë e martirët tanë. Ndër epokat më të lavdishme të historisë tonë, padyshim që është lufta e popullit shqiptar për çlirimin e trojeve të pushtuara nga sllavët, nën emblemën e të lavdishmes: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nganjëherë yjet rreshtohen në favor të një etnie apo edhe të një individi, dhe për fatin tonë të mirë, në fund të shekullit të kaluar fati ishte me ne. Mirëpo, latinët e lashtë kanë thënë: Fati është me guximtarët. Disa burra morën vendimin e guximshëm për të kapur armët në mënyrë që ta detyronin botën perëndimore të vihet në anën e duhur të historisë, pasi që dikur i kanë lejuar fqinjët grabitqarë të copëtojnë trojet tona, duke mbyllur sytë para tragjedisë njerëzore. Ndreqja e këtij gabimi trashanik erdhi me shumë vonesë, por u desh të ndërmarrim veprime të rrezikshme, sepse ishte mundësia jonë e vetme.
Humbëm shumë njerëz të dashur, pësuam dëme të konsiderueshme materiale, pasuritë tona u plaçkitën dhe shumë njerëz nuk u lejuan të varrosen në tokën e të parëve. Edhe Rahoveci si gjithandej Kosovës, me flamurin e Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të UÇK-së, pati një rrugëtim të vështirë luftarak e të begatshëm, të dhimbshëm dhe me shumë humbje të bijve e bijave më të mirë, por krenar për luftën vetëmohuese që bëri për çlirimin e Kosovës.
Mirëpo, këto sakrifica e flijime mbinjerëzore ishin kapitulli i fundit i një fatkeqësie kombëtare, që u kurorëzua me fitore. Shpallja e pavarësisë erdhi si rrjedhojë logjike e një rrugëtimi të gjatë, të vështirë, të përgjakshëm, por edhe krenar.
Sot u bënë tetëmbëdhjetë vjet qëkur e morëm fatin në duart tona dhe kemi mundësi të numërojmë arritjet e shumta që janë bërë, pa i lejuar vetes asnjëherë të kënaqemi me këto suksese. Pas e lamë të kaluarën, por pa e harruar, duke synuar konsolidimin e shtetësisë, rritjen ekonomike, pozicionimin politik e diplomatik, modernizimin ushtarak e teknologjik, me synim integrimet Euro-Atlantike. Krejt këto kërkojnë përpjekje të vazhdueshme, këmbëngulje e punë e palodhshme, sepse armiqtë tanë nuk flenë as ditë, as natë.
Ata po dëshmojnë se duan ta vënë në dyshim shtetësinë tonë duke thurur intriga e duke hartuar plane e strategji për të arritur të na poshtërojnë. Në këtë vazhdë janë edhe investimet e mëdha ruso – serbe për ndryshimin e narratives së luftës dhe shtetësisë tonë. Sfidë e madhe dhe e rëndë për ne është përballja me gjykatën Speciale, që duke u përpjekur ta kriminalizojnë luftën tonë të drejtë e të pastër, kanë gatuar gjellë të helmuar për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jam i bindur se drejtësia nuk do ta kapërdijë këtë gatesë dhe se shokët tanë do të kthehen triumfues e me kokën lart. Kjo duhet të ndodh, jo veç për fatin e disa individëve të cilët vuajnë padrejtësitë e kësaj kohe të turbullt, por para së gjithash, për shkak të parimeve bazë të të drejtës për luftë të popujve të shtypur. Para vetes kemi një sfidë të vështirë, por e ndjejmë se do të dalim fitimtarë. Sot në marshin protestues me moton: drejtësi, jo politikë, bashkohemi si një trup kundër padrejtësisë, sepse është jetike të dëshmojmë mbështetjen tonë, jo vetëm për katër persona që janë udhëheqësit e luftës sonë çlirimtare, sigurisht, edhe për ata, sepse bartin histori mbi supet e tyre, por mbi të gjitha për një epokë, për të drejtën tonë për liri e dinjitet njerëzor e kombëtar. Do t’ia dëshmojmë botës se jemi në të drejtën tonë historike, prej të cilës nuk heqim dorë për asnjë çmim. Besoj fuqishëm se ditët kur shokët e bashkëluftëtarët tanë do të jenë të lirë janë të numëruara, sepse vetëm në këtë mënyrë i bëhet shërbim historisë dhe drejtësisë.
Në këtë ditë të veçantë dëshiroj të uroj të gjithë ata dhe ato që e kanë dhënë provimin e historisë dhe që në epoka të caktuara e kanë kryer obligimin ndaj atdheut. Dëshiroj të përgëzoj familjarët e dëshmorëve, të cilët me durim e qëndrim krenar e kanë përballuar dhimbjen e mallin për njerëzit e dashur, të përgëzoj invalidët e veteranët e luftës të UÇK-së dhe veprimtarët e çështjes kombëtare për angazhimet e tyre për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave tona kombëtare, të uroj të gjithë njerëzit vullnetmirë që i kanë kontribuuar dhe i kontribuojnë konsolidimit të shtetësisë tonë, si dhe të gjithë atyre që në çfarëdo forme i shërbejnë të mirës së përgjithshme.
Sot e mot do të nderojmë e kujtojmë të gjithë veprimtarët e çështjes kombëtare, dëshmorët e heronjtë që luftuan e ranë për jetësimin e lirisë e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Me urimin që në përvjetorët e ardhshëm të kemi më shumë arritje e rezultate për të prezantuar, ju falënderoj për vëmendjen tuaj!
Lavdi dhe nderime përjetësisht heronjve, dëshmorëve dhe gjithë të rënëve për liri!
E paçin të lehtë mbi varre dheun e tokës arbërore!