Sot, në Seancën Solemne të Kuvendit Komunal të Deçanit u shënua me krenari dhe dinjitet 17 Shkurti, dita kur u vulos vullneti shekullor i popullit tonë për liri dhe shtetësi.
Në postimin e tij në facebook kryetari Ramosaj ka shkruar se kjo datë na kujton sakrificën sublime të dëshmorëve, gjakun e derdhur për atdhe dhe rrugën e vështirë, por të drejtë, që na solli këtu ku jemi sot. Liria jonë është amanet, e fituar me shumë dhimbje, por e mbrojtur me krenari.
Në këtë ditë feste, përulemi me respekt para atyre që dhanë gjithçka për Kosovën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për ta ruajtur dhe forcuar shtetin tonë, me punë të ndershme dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Gjatë kësaj seance, Kryesuesi i Kuvendit, z. Hajdar Sutaj, përshëndeti familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për sakrificën e tyre të pazëvendësueshme.