Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, deklaroi se përgjegjësia për përfundimin e ish-komandantëve të UÇK-së në Hagë nuk i takon vetëm Serbisë, por edhe komunitetit ndërkombëtar dhe aktorëve të mëdhenj politikë. Sipas tij, Serbia ka zhvilluar një fushatë të ashpër dhe të kushtueshme për të akuzuar UÇK-në, duke shfrytëzuar potencialin e saj diplomatik në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, Milo theksoi se presioni i ushtruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mbi Parlamentin e Kosovës për miratimin e Gjykatës Speciale ka qenë faktor vendimtar në krijimin e saj. Ai u shpreh se vendimi për themelimin e gjykatës ishte politik, ndërsa më pas institucioni fitoi një pavarësi që është e vështirë të kontrollohet apo të ndalet. Milo ngriti pikëpyetje edhe për standardet e dyfishta të ndërkombëtarëve, duke kujtuar se SHBA nuk e kanë ratifikuar Statutin e Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ndërsa në raste të tjera shtete të mëdha nuk kanë zbatuar vendime të gjykatave ndërkombëtare. Sipas tij, në këtë proces kanë ndikuar interesa politike dhe gjeopolitike, me synimin për të krijuar një balancë perceptimi në opinionin ndërkombëtar lidhur me përgjegjësitë për krimet e luftës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
