Një ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ka reaguar publikisht duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që, sipas tij, i kanë qëndruar pranë familjes gjatë viteve të procesit gjyqësor. Përmes një postimi publik, ai falënderoi miqtë, qytetarët, institucionet, avokatët dhe mediat për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se këto vite kanë qenë të vështira për familjen e tyre. “FALEMINDERIT! Këto vite ishin të vështira për familjen tonë. Faleminderit secilit që na qëndroi pranë: miqve, qytetarëve, institucioneve, avokatëve dhe mediave që nuk heshtën. Respekt pa fund!”, ka shkruar Endrit Thaçi në mesazhin e tij. Reagimi i tij vjen menjëherë pas deklaratave përmbyllëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, një moment që ka ngjallur reagime dhe emocione të shumta në opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë. Mesazhi i Endrit Thaçit është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke u shoqëruar me komente mbështetëse nga qytetarë dhe figura publike, të cilët kanë shprehur solidaritet me familjen Thaçi në këtë fazë të procesit gjyqësor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
