Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Shqipëri, Taulant Balla, ka mbajtur një fjalim të fortë në Kuvend, ku përveç çështjeve të integrimit evropian dhe politikës së jashtme, u ndal veçanërisht te zhvillimet që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Balla deklaroi se nuk ekziston një raport i ri i veçantë për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, por një rezolutë e përvitshme që, sipas tij, këtë vit vlerëson progresin e vendit në integrimin evropian dhe avancimin drejt hapjes së të gjithë grup-kapitujve të negociatave. Ai theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 varet nga zbatimi i reformave dhe ulja e polarizimit politik në vend. Në fjalën e tij, ai vlerësoi gjithashtu rolin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke përmendur pjesëmarrjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, presidencën e OSBE-së dhe përgatitjet për samitin e NATO-s në Tiranë, si dëshmi të rritjes së peshës diplomatike të vendit. Balla e cilësoi të papranueshme akuzën ndaj UÇK-së si ndërmarrje kriminale, duke theksuar se Shqipëria ka përgjegjësi morale dhe politike për të mbrojtur, sipas tij, pastërtinë e luftës çlirimtare dhe figurat kryesore të saj. Ai përmendi ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke thënë se mbrojtja e historisë së tyre është detyrim kombëtar për përfaqësuesit shqiptarë në çdo komunikim me partnerët ndërkombëtarë. Nëse nuk bëjmë gjithçka për ta mbrojtur këtë histori, atëherë historia do të na dënojë edhe ne, u shpreh Balla, duke theksuar se lufta e UÇK-së përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
