Sot në ambientet e Sallë së Kulturës, në një atmosferë solemne dhe me pjesëmarrje të gjerë të përfaqësuesve institucionalë, mësimdhënësve, nxënësve dhe qytetarëve, Gjimnazi “Hamëz Jashari” ka kremtuar 59-vjetorin e themelimit, si dhe 76-vjetorin e lindjes së heroit kombëtar, Hamëz Jashari.
Në këtë aktivitet morën pjesë nënkryetari i komunës, Fadil Nura, si dhe drejtori i Arsimit, Kastriot Duraku. Në fjalën e tij para të pranishmëve, nënkryetari Nura theksoi se kjo shkollë, që me krenari mban emrin e heroit Hamëz Jashari, ka dëshmuar suksese të vazhdueshme si në mësimdhënie ashtu edhe në mësimnxënie, duke nxjerrë gjenerata të tëra mësimdhënësish dhe nxënësish të suksesshëm.
Ai uroi mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit për këto dy data të rëndësishme, duke iu dëshiruar suksese dhe arritje të reja.
Drejtoresha e gjimnazit, Gisela Shala, me këtë rast uroi shkollën, stafin mësimor dhe nxënësit për këtë ditë të rëndësishme, duke shprehur mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në rrugëtimin arsimor dhe edukativ.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite, nxënësit prezantuan një program të pasur kulturor-artistik me këngë, recitime dhe valle, duke i dhënë ngjarjes një dimension të veçantë përkujtimor dhe festiv.