Presion nga Berlini dhe Brukseli për dialogun, qeveria Kurti kritikohet për mungesë prioriteti

Teksa në Prishtinë dialogu me Serbinë nuk po paraqitet si prioritet i shpallur i qeverisë së re të Albin Kurti, partnerët ndërkombëtarë po dërgojnë sinjale të qarta se zotimet e dhëna duhet të zbatohen pa vonesa. Mesazhet nga Berlini dhe Brukseli, ndonëse të shoqëruara me urime për rizgjedhjen, përmbajnë edhe kërkesa të drejtpërdrejta për përparim në dialog dhe reforma konkrete. Kancelari gjerman Friedrich Merz, në telegramin e urimit, theksoi se qeveria e re përballet me vendime të rëndësishme që lidhen me integrimin euroatlantik, duke e vendosur dialogun e normalizimit me Serbinë si pjesë kyçe të këtij procesi. Mesazhi u interpretua si rikujtim diplomatik se mbështetja gjermane lidhet drejtpërdrejt me progresin politik dhe institucional. Edhe Bashkimi Evropian ka shtuar presionin, duke kërkuar zbatim të marrëveshjeve ekzistuese dhe integrimin e strukturave të mbështetura nga Serbia në përputhje me ligjet e Kosovës. Zyrtarët evropianë kanë rikujtuar gjithashtu se reformat në drejtësi, media, energji dhe integrimi financiar mbeten kushte për avancimin drejt BE-së. Shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas paralajmëroi se vetëm përmes reformave të shpejta mund të zhbllokohet mbështetja financiare prej qindra milionë eurosh, duke sinjalizuar se pritja e gjatë politike nuk do të tolerohet më. Megjithatë, kritikat po shtohen se ekzekutivi në Prishtinë vazhdon ta mbajë dialogun jashtë prioriteteve kryesore publike, duke rrezikuar tensionim të raporteve me aleatët perëndimorë dhe ngadalësim të rrugës integruese të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Endrit Thaçi: “FALEMINDERIT! Këto vite ishin të vështira për familjen tonë

Një ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë, djali i …