Ramush Haradinaj kujton Grevën e Minatorëve: Akt guximi që lëkundi Jugosllavinë dhe hapi rrugën drejt lirisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 37-vjetorin e Grevës së Minatorëve, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme historike në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë. Përmes një reagimi publik, Haradinaj tha se grevat e minatorëve përbënin akte të jashtëzakonshme guximi dhe një kthesë vendimtare politike, duke kujtuar sakrificën e mbi 1300 minatorëve që, sipas tij, shndërruan protestën në një rezistencë gjithë popullore që lëkundi themelet e shtetit të atëhershëm jugosllav. Ai theksoi se mënyra më e mirë për të nderuar kontributin e tyre ishte forcimi ekonomik i kompleksit minerar Trepça. Haradinaj rikujtoi se gjatë mandatit të tij si kryeministër, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të Trepçës, ndërmarrja u regjistrua si kompani në përputhje me ligjet e Kosovës. Sipas tij, ky vendim përbënte një hap kyç për të mundësuar investime, rritje të qëndrueshme ekonomike, hapje të vendeve të punës dhe rikthimin e Trepçës në funksion të plotë të ekonomisë së vendit. Haradinaj shprehu mirënjohje për minatorët e viteve ’80 për guximin dhe sakrificën e tyre, si dhe për minatorët e sotëm që, sipas tij, vazhdojnë me punë të palodhur të mbajnë gjallë Trepçën dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi miraton Buxhetin 2026 pa amendamentet e opozitës, miratohet me 62 vota pro

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin …