Kryetari i komunës së Prishtinës, z. Perparim Rama ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, se është pritur në një takim të veçantë nga Olle Burell, President i Këshillit të Qytetit të Stokholmit. Ai nga afër prezantoi me historinë institucionale të Komunës së Stokholmit, një histori që dëshmon se transformimi urban është rezultat i vizionit afatgjatë dhe politikave të qëndrueshme.
Në shenjë mirënjohjeje, i dhuruam një vepër të artistëve tanë vendorë, si përfaqësim i kulturës dhe krijimtarisë që vjen nga Prishtina.
Stockholmi është dëshmi se qytetet mund ta shndërrojnë ambicien mjedisore në standard jetese: më shumë transport publik e alternativa të pastra, më pak ndotje dhe më shumë cilësi jete.
Bashkëpunimi mes kryeqyteteve tona nuk është thjesht partneritet institucional është aleancë vizioni për të ndërtuar qytete që mendojnë për brezat që vijnë, ka shkruar kryetari Rama, i cili ka takuar edhe Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Suedi, znj. Shkendije Geci – Sherifi.