Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se aktualisht nuk ka as ftesë për seancë dhe as marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri. Hamza theksoi se deri më tani nuk është arritur as në fazën e propozimit të një emri konkret, pasi sipas tij mungon një dakordim paraprak mes partive politike. “Jo, nuk ka marrëveshje. S’kemi propozuar se s’kemi mbërri fare deri te propozimi. Ne kemi folur parimisht, kemi dashur me pasur vendi një president, urojmë që të ketë president. Ne kemi kërkuar që paraprakisht të dakordohemi që presidenti të zgjidhet i propozuar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, një emër dinjitoz shumë, që s’do të thotë brenda strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, po mund të jetë edhe jashtë strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, që i ka atributet dhe kualitetet që duhet t’i ketë një president“, deklaroi ai. Sipas kreut të PDK-së, qëndrimi i partisë është që presidenti i ardhshëm të jetë figurë unifikuese dhe me kredibilitet të lartë publik, ndërsa procesi të zhvillohet mbi bazën e një konsensusi të gjerë politik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
