Me rastin e aktiviteteve për nderë të Epopesë së UÇK-së, Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur sot seancë solemne, ku merrnin pjesë përfaqësues të familjeve dëshmorëve, organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të policisë, subjekteve politike, bashkësive fetare, Organizatave joqeveritare etj. Seanca filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror, si dhe me një minutë heshtje në shenjë nderimi për dëshmorët dhe të rënët për liri. Në fjalën e tij, kryesuesi i Kuvendit Komunal Bekim Azizi, ka theksuar se rrugëtimi nëpër proceset që ka kaluar Kosova dhe arritja deri këtu, nuk ishte e lehtë, por as nuk do të jetë e lehtë puna dhe angazhimi që na presin në forcimin e vlerave demokratike deri në arritjen e qëllimeve tona, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. “Sot më shumë se kurrë na duhet një dashuri më e madhe për atdheun, një respekt dhe solidaritet për njëri-tjetrin, një bashkim i forcave tona dhe tejkalim i dallimeve politike për qëllimet madhore të Kosovës. Kurse në fjalën e tij, zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, theksoi se ditët e Epopesë së UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars, i kujtojmë me krenarinë më të madhe, pasi që kujtojmë edhe sakrificën madhe të familjes Jashari. “Mbi themelet e asaj sakrifice, ne sot po e ndërtojmë dhe po e forcojmë shtetin tonë. Një shtet që synon të jetë i drejtë, demokratik dhe i barabartë për të gjithë qytetarët e tij. Një shtet që e sheh të ardhmen në integrim euroatlantik dhe në partneritet të qëndrueshëm me aleatët tanë. E dimë se rruga përpara nuk është e lehtë. Sfida ka dhe do të ketë. Por, ashtu si në të kaluarën, edhe sot na duhet unitet, përgjegjësi dhe një ndjenjë më e thellë solidariteti. Na duhet më shumë përkushtim për të tejkaluar ndasitë dhe për t’u përqendruar në qëllimet që na bashkojnë”, tha Aliu. Ai mes tjerash u shpreh se Kosova ka nevojë për punë konkrete, për institucione të forta dhe për besim të ndërsjellë. “Nuk kemi luksin të humbasim kohë. Reformat që kemi nisur duhet të përmbyllen me seriozitet, sepse vetëm kështu ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme për vendin tonë. Amaneti i Adem Jashari dhe i të gjithë atyre që ranë për liri është i qartë: ta ruajmë dhe ta forcojmë shtetin që u ndërtua me aq shumë sakrificë. Ky amanet është përgjegjësi e përditshme për secilin prej nesh, tha zv.kryetari Aliu. Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve në Viti, Xhevgjet Ademi. Përndryshe sot në të gjitha shkollat, ora e parë mësimore i është kushtuar Epopesë së UÇK-së kurse nga nesër do të ketë edhe aktivitete të ndryshme kulturore.