Në vazhdën e promovimit të veprave të lëna në dorëshkrim nga profesori Ahmet Qeriqi, para të pranishmëve foli edhe ish-nxënësi i tij, Isuf Ismaili, i cili paraqiti një vështrim për rëndësinë dhe përmbajtjen e romanit biografik “Vegimtari”. Në fjalën e tij, Ismaili theksoi se kjo vepër përbën një rrëfim të gjerë dhe të thellë për jetën dhe rrugëtimin e profesorit Qeriqi, duke pasqyruar në mënyrë artistike dhe dokumentare etapat më të rëndësishme të jetës së tij. Sipas tij, romani “Vegimtari” ka në fokus tërë jetën dhe veprimtarinë e profesorit Ahmet Qeriqi, që nga vitet e rinisë, formimi i tij intelektual, përkushtimi ndaj arsimit dhe kulturës, deri te angazhimi i pandërprerë në shërbim të çështjes kombëtare dhe të fjalës së lirë. Ismaili vlerësoi se përmes këtij romani biografik, autori sjell para lexuesit jo vetëm jetën e një personaliteti të veçantë të kulturës dhe publicistikës shqiptare, por edhe një pasqyrë të kohës dhe të sfidave historike që kaloi populli shqiptar. Ai shtoi se “Vegimtari” është një vepër që ndërthur elementet e kujtesës historike me rrëfimin letrar, duke e bërë atë një dëshmi të rëndësishme për jetën dhe kontributin e profesorit Ahmet Qeriqi, si dhe për idealin që ai mbrojti gjatë gjithë jetës së tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
