Vizitohet laboratori i ri i kimisë në shkollën “Halil Alidema” në Pozheran

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtoresha e Arsimit Arta Ajeti, kanë vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Halil Alidema” në Pozheran.

Gjatë kësaj vizite u prezantua edhe laboratori i kimisë, i cili së fundmi është furnizuar me mjete të konkretizimit në vlerë prej rreth 4 mijë euro, falë mbështetjes së Korpusit të Paqes. Përveç kësaj, investime në këtë kabinet ka bërë edhe Komuna e Vitisë, duke përmirësuar kushtet për zhvillimin e mësimit praktik.

Nxënësit e kësaj shkolle, nën përkujdesin e mësimdhënësit Arbër Frangu, demonstruan disa eksperimente të kimisë, duke treguar në praktikë njohuritë e tyre në këtë lëndë.

Kryetari Haliti u shpreh i impresionuar me punën dhe përkushtimin e nxënësve, duke theksuar se Komuna e Vitisë do të vazhdojë të punojë për krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit. Ai shtoi se ndihet krenar për sukseset e arritura nga këta nxënës dhe falënderoi Korpusin e Paqes për mbështetjen dhe kontributin e tyre.

Ndërkaq, drejtoresha e Programit të Trajnimeve nga Korpusi i Paqes, Nur-Aliyya Mattos, tha se laboratori që pa në Pozheran është i standardeve amerikane, madje sipas saj në disa aspekte edhe më i avancuar. Ajo theksoi se në kuadër të bashkëpunimit të tyre Komuna e Vitisë ka qenë një mbështetëse shumë e madhe, duke falënderuar kryetarin Haliti për përkrahjen.

Ndërkohë, Cody Festerling, vullnetar i Korpusit të Paqes në Pozheran, u shpreh se ishte kënaqësi të punonte me personelin arsimor të kësaj shkolle, veçanërisht me mësimdhënësin Arbër Frangu, i cili sipas tij ka dhënë një kontribut të veçantë në realizimin e këtij projekti.

Gjatë qëndrimit në këtë institucion arsimor, kryetari Haliti vizitoi edhe hapësirat e tjera të shkollës, ku u shoqërua nga drejtoresha e shkollës Dritë Pira, e cila e njoftoi atë nga afër me kushtet dhe aktivitetet që zhvillohen në këtë shkollë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Rama dhe dhe ambasadori francez nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtje të grave

Dhuna ndaj grave nga e mërkurja (11.03.2026) mund të raportohet edhe përmes aplikacionit “The Sorority”. …