Qeveria e Kurtit bën lëshim të ri: pranon letërnjoftimet serbe dhe leje të përkohshme për serbët pa dokumente të Kosovës

Qeveria e Kosovës është pajtuar të ofrojë lehtësira të përkohshme për qytetarët serbë që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe atij për automjetet, të cilët pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela. Vendimi u bë i ditur pas takimit në Prishtinë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Sipas këtij dakordimi, serbët në Kosovë që nuk kanë dokumente kosovare do të mund të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj dhe të përdorin si mjet identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia. Dy ligjet kanë nisur të zbatohen që nga 15 janari vetëm në formë të fushatës informuese, ndërsa nga e diela pritet të hyjnë plotësisht në fuqi. Ato parashohin që personat pa dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja të mos qarkullojnë më shumë se tre muaj pa autorizim. Megjithatë, pas marrëveshjes së fundit, këto rregulla nuk do të zbatohen menjëherë për serbët lokalë pa dokumente kosovare, të cilëve do t’u ofrohen leje të përkohshme qëndrimi dhe mundësia për të përdorur dokumentet e tyre aktuale të identifikimit.

Kontrolloni gjithashtu

Mesazhi i Kaja Kallas për marrëveshjet në Kosovë, por sfida mbetet zbatimi i tyre

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka …