Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për, siç i quan, kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, duke vlerësuar se ato po cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sipas PDK-së, me vendimet e fundit Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Sipas këtij subjekti politik, pranimi i këtyre dokumenteve i bën strukturat ilegale të Serbisë pjesë të zbatimit të legjislacionit të Kosovës. PDK thekson se këto vendime dyshohet se janë rezultat i negociatave të zhvilluara larg vëmendjes së opinionit publik dhe pa transparencë, në një kohë kur, sipas saj, po inskenohej edhe kriza institucionale në vend. “Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre”, thuhet në reagimin e PDK-së. Partia opozitare rikujton edhe deklaratën e Kurtit në Davos, ku kishte thënë se strukturat paralele nuk ekzistojnë më, ndërsa tani, sipas tyre, përmes kompromisit politik po u jep atyre një legjitimitet të ri. PDK i konsideron këto veprime si vazhdim të logjikës së Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të cilat, sipas saj, janë pranuar pa transparencë dhe debat institucional dhe tashmë po prodhojnë pasoja në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës. Në fund, PDK i bën thirrje Qeverisë Kurti që të ndërpresë politikat që, sipas saj, po prodhojnë konfuzion institucional dhe po e fuqizojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
