Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti pasi ky i fundit është pajtuar me Bashkimin Evropian për të bërë lëshime në zbatimin e Ligjit për të Huajt. Sipas këtij dakordimi, Kosova do t’u mundësojë serbëve të regjistrohen në Regjistrin Civil duke pranuar si dokument valid letërnjoftimin e lëshuar nga Serbia. Haradinaj e ka cilësuar këtë veprim si një hap tjetër drejt legjitimimit të dokumenteve që ai i konsideron ilegale. “Pas njohjes së pasaportave ilegale të strukturave paralele, sot me plot gojë kryeministri tha se po u hapim edhe një dritare dokumenteve të tjera jolegale për serbët”, ka shkruar Haradinaj. Ai ka akuzuar Kurtin për standarde të dyfishta, duke thënë se qeveria po bashkëpunon me strukturat paralele serbe, ndërsa ndaj qytetarëve shqiptarë po prodhon vetëm bllokada dhe kaos institucional. “Deri kur me këto lojëra? Plot gojën me patriotizëm, por plot vendime antikushtetuese dhe antiligjore. Me serbë dhe struktura paralele bashkëpunim të shkëlqyeshëm, e me shqiptarët e këtij vendi bllokada e rrëmujë”, ka deklaruar Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
